Intervista/Frrok Çupi: 5 muaj para zgjedhjeve, frika ime, të mos zgjohen vrasësit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Analisti Frrok Çupi, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën politike në vend dhe jep këndvështrimin e tij mbi profilet e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.

Nga kush druhet më shumë dhe një parashikim si do jetë rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit.

Nga Roland Qafoku

-Çfarë po ndodh në Shqipërinë politike 5 muaj përpara zgjedhjeve?

Me të vërtetë ka mbetur pak kohë për të shkuar në ditën e zgjedhjeve. Ndryshe nga herët e tjera nuk kemi një zjarr elektoral akoma. Vijmë nga dy beteja shumë të mëdha. Është tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e koronës e cila është kaq e rrezikshme për gjithë botën. Si po përballohen këto? Ky bilanc do të jetë ai i cili mesa duket do vendoset dhe ditën e zgjedhjeve.

Kjo është pamja e parë e një pragu të fushatës së zgjedhjeve. Pamja e dytë është se ne vijmë si një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe si lavjerrësa të kësaj situate, por ndërkohë në botë po ndodhin gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Për dikë në Shqipëri lexohet si pasiguri, për dikë tjetër si mungesë e patronazhit dhe për dikë tjetër si një pritshmëri se çfarë do të ndodhë realisht. Zgjedhjet në SHBA por edhe një lloj shthurjeje dhe dobësimi maksimal në BE dëshmojnë se Shqipëria ka vështirësi shumë të mëdha për të përballuar situatën e brendshme.

Kjo varet shumë të paktën nga politika, nga frazeologjia politike, të paktën nga fjala, nga aleatët ndërkombëtarë. Pamja e tretë çfarë është në prag të zgjedhjeve është se kemi një situatë paqësore. Akoma nuk janë zgjuar dhe shpresoj të mos zgjohen vrasësit, të mos zgjohen kriminelët të cilët bëjnë namin në kohë fushate, sepse kështu ka ndodhur gjithmonë. Është krijuar një situatë ekuilibri dhe mbytëse për pjesën negative të shoqërisë. Jetojmë në stabilitet dhe normalitet si gjithë vendet e tjera.

-Si mund ta përshkruani zotin Basha?

Besoj se kryetari i opozitës Lulzim Basha është një aktor, një aktor jo i keq. Shumë njerëz edhe në rrugë, edhe në politikë, edhe në media e konsiderojnë një lolo. Unë nuk e konsideroj kështu.

E konsideroj një aktor që luan rolin e lolos. E luan shumë bukur. Domethënë, është në dorën e doktorit, në dorën dhe të dikujt tjetër kam përshtypjen, ndoshta dhe vetë doktori është në dorën e dikujt tjetër, ose ka qenë gjatë gjithë kohës, nuk jam i sigurt, por Lul Basha luan shumë bukur rolin e njeriut që nuk bën asgjë dhe që bën gjithçka nëpërmjet të mos bërit asgjë.

Ai ka që nga viti 2000 dhe deri më sot që ka hyrë në atë enë. Pse u dashka Zoti të ribëjë Lul Bashën? Zoti e bën një tjetër nga e para. Se që ta nxjerrë nga ena e vet Lulin, është një mundim i madh për Zotin. Kështu që Luli nuk funksionon dot më siç e përfytyrojnë njerëzit. Unë çuditem pse e fajësojnë. Nuk duhet fajësuar. Asnjë mundësi s’ka, asnjë të drejtë s’ka, asnjë vizion, s’ka asnjë punë. Luli është për të mbajtur derën hapur dhe për të përjashtuar njerëzit që i thotë doktori.

-Atëherë i bie që e mbyll derën.

Partia Demokratike nuk është më partia Demokratike. Luli nuk është djalë i keq, është djalë shumë i mirë. Ai bën për një lloj partie por e akuzojnë kot së koti duke i thënë ky është fajtori për prishjen e PD. Fajtori është doktor Berisha. Luli është një dembel, nuk bën gjëra Luli, nuk mund të bëjë.

Kalojmë te elementi i përpilimit të listave. Është një element shumë i rëndësishëm i PD. Unë jam i predispozuar për ta besuar PD. Jam pjesë e saj, nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie tjetër. Fakti që përjashtoheshin disa nga themeluesit më ka dhembur. Duke qenë përballë një force kaq tq madhe, unë me naivitet mendova se këtë gjë e ka bërë Berisha për ta përsosur PD.

I besova legjendës. Por u zhgënjeva sepse nuk u forcua PD, e dyta perceptova ë vonë se këto ishin bërë më dorën e Berishës. Dhe naiviteti i tyre, iu sulën Bashës. Trokasin tek pragu që të dëgjojë dera.

-Çfarë lloj kryeministri është Edi Rama?

Unë dikur s’kam pasur fare besim tek ai si politikan. Është i formuar, është me origjinë fisnikësh. Me një gjyshe veneciane dhe me një baba artist të madh, nuk mund të thuash se do dalë një çapaçul. Ne që nga Lufta e Dytë Botërore dhe këtej i kemi marrë fshatarë dhe i kemi bërë kryeministra.

Ka krijuar një profil, por këtë profil ka ndërtuar një pallat ose një shtëpi. Dhe kjo shtëpia quhet Shqipëria. Dhe nëse një politikë tjetër do vinte në vend të tij, s’do dinte të hynte në këtë shtëpi. S’do dinte ku ka xhezven, ku ka krevatin, ku ka kafen, ku ka dritaren etj. Sepse ka ndërtuar një Shqipëri tjetër, krejt tjetër. Rama ka disa defekte. Fillimisht ka ardhur në politikë me një nënvlerësim të ligjit, të cilin e mësoi perfekt më vonë. Ligji është i paprekshëm, i padiskutueshëm.

Ligji më i keq i botës të shkatërron. Rama i ka besuar idesë së ministrat, bashkëpunëtorët të jenë disa njerëz që vrapojnë, s’ka rëndësi sesa shumë dinë, por t’i lëshosh në punë dhe të ikin. Pastaj ka pasur dhe një problem tjetër. Mbaj mend gjithë vëllezërit Tare i bëri ministra, zv.ministra, kapo-banda etj etj. Po kjo është e tepërt. Është një problem tjetër me ministrat nga Kosova. Mua më pëlqen shumë si akt, por duhet të zhvilloheshin ide qeverisëse brilante.

Edi Rama është një tjetër gjë nga këta të tjerët. Këta janë primitivë. Janë dy kultura të ndryshme. Në diferencë me këta, është i vetmi politikan ose kryeministër shqiptar përveç disa prej atyre që keni studiuar ju, i cili është i qartë, i pastër. Është i tejdukshëm. Është kristal, mund të shikosh përmes tij. Të tjerët janë si blloqe muri. Edi ka vepër. Një njeri që ka vepër, e ka nxjerrë shpirtin jashtë. Edi Rama po dëshmon se është një punëtor i madh, është dashnor i atdheut dhe i kombit. E adhuron kombin e vet, e dashuron atdheun.

-Po për presidentin Ilir Meta çfarë mund të thoni?

Ilir Meta është një karakter vibrant, në kuptimin që nuk e mban vendi, është i lëvizshëm. Por gjithashtu është vibrant edhe për arsye të destabilitetit kulturor. Do të thotë që nuk është formuar. Kulturalisht është krejtësisht i paformuar. Në kohën kur e kam njohur nga afër, ja kam çmuar thjeshtësinë, kur më tregonte që mua më konsiderojnë edhe të pashkollë, edhe të paditur, e kështu.

-Ai nuk është i pashkollë, ka mbaruar për Ekonomi politike.

Është i pa kultivuar. Nuk e ka ushtruar ndonjëherë profesionin e tij. Është tragjike. Nuk e ke idenë si është të mos punosh dhe të mos kesh një zanat. Në kohën kur u bë president Ilir Meta unë kam pasur nëj problem shumë të madh me pikëpyetjet e mia. Unë e dija që ai nuk e njeh shtetin. Nuk njeh fare, asgjë.

Lexo edhe :  Gazmend Bardhi: Qeveria e mbytur në korrupsion

-Si e shpjegoni situatën e liderëve të Kosovës, të cilët ndodhen në Hagë për gjykim?

Për mua në Hagë nuk ndodhen udhëheqësit e UÇK-së, por Kosova. Ata e kanë vënë Kosovën në Hagë dhe duan ta kthejnë dhe ta bëjnë genocidiste. Përgjithësisht kombin shqiptar. Duan ta bëjnë një komb që ha tjetrin. Një komb që vret njëri-tjetrin, një komb që padrejtësisht luftoi për liri dhe s’e meriton lirinë.

Ka një tendencë për ta çuar Kosovën atje ku ishte para vitit 1999. Tentohet për ta bërë një pjesë të turpshme të botës, ose një gropë ku do mbyten gjatë gjithë kohës paratë e pista, krimet, të vrarët e botës etj. Gjëja më e afërt është për të krahasuar Hashim Thaçin me Ratko Mladiç. Medemek ju vërtet na i dënuat këta heronjtë tanë, po në dënojmë tuajt. Është momenti ku bërtitet me forcë shumë të madhe, “heroi im duhet të tjetë dhe heroi yt”.

-Si e parashikoni, çfarë pritet të ndodhë?

Ata kanë gjetur dhe një moment të vështirë të superfuqive. Në momentin kur Thaçi do shkonte për bashkëbisedime në Uashington, ata e arrestuan në avion.

-Vepër e kujt është kjo?

Vepër e këtyre që po bëjnë këtë për Kosovën.

-Çfarë mendoni se do ndodhë me Kosovën tani që Joe Biden u zgjodh presidenti i SHBA-së?

Unë mendoj se kjo çështje zgjidhet përmes politikave konservatore. Ne jemi komb, nuk jemi leckamanët e Ballkanit. Ne jemi kombi më i vjetër. Ne jemi të tmerrshëm, jemi çudi e madhe. Ne dhe PD që i themi parti e djathtë, është staliniste. Të gjithë kanë shkuar në majtizëm të llahtarshëm.

Ne kemi çfarë konservojmë. Kosova ka se çfarë konservon. Të drejtat që i kanë dhënë në të kaluarën ja kanë dhënë konservatorët e Evropës. Amerika është Amerika pavarësisht se kush fiton në Amerikë. Kosova ka zbuluar se çfarë jemi ne dhe se sa rezistojmë përpara të drejtave të kombit.

Nëse nuk i rezistojmë kësaj here, ne tregojmë që jemi një komb që nuk duam kombin. Kjo është një nga provat më të forta në historinë e kombit shqiptar. Ishte e fuqishme 1999, por është më e fortë kjo. Presidenti konservator i Amerikës kishte nisur një projekt për ringritjen e Kosovës, për ribërjen e Kosovës dhe si përfundim të kishte një Shqipëri të madhe. Nuk e bëri këtë me luftë. Ideja e tij për mua është kjo: Dy kombe, dy popuj, mund të merren vesh vetëm duke qenë të pasur, siç janë dy njerëz.

-A i besoni asaj që është bërë si temë e ditës këtu, ajo puna e kasetës me zotin Basha?

Nuk do ta quaja deri në kufijtë ekstremë që zoti Basha është nëj tradhëtar. Basha ishte një djalë i ri, shërbente, nuk e dinte se çfarë po bënte. Gjatë gjithë kohës që ne kemi festuar pavarësinë e Kosovës, Serbia dhe serbët kanë punuar për të mbledhur këto prova. E kanë futur shqiptarin në thesin e tyre dhe s’ka ku del më shqiptari tani. Humbja e këtij argumenti është vërtet humbje shumë e madhe.

240 veta janë vrarë brenda natës dhe ti ke 21 vjet që kurrkush s’e di në botë. Dhe gjithë bota mendon që përbindëshat janë në Kosovë. Ai mund ta ketë bërë edhe kështu, do ketë qenë pjesë e një grupi ku të tjerët e urdhëronin, bëj këtë gjë, fshihe këtë, zhduke atë. Problemi është sot. Duhet ta sqarojë e para dhe e dyta duhet të thotë se ka bërë një dëm ndaj kombit. Ky nuk tregon kush është. Duhet të largohet nga politika, urgjent. Sepse në politikë vjen me një dëm shumë të madh, me apo pa qëllim.

-Si ka mundësi që gjithmonë politika shqiptare i ka quajtur kundërshtarët, tradhtarë?

Fillimisht, ne e kemi akoma kuadrin ligjor të paplotësuar. Ne nuk kemi ligje për tradhtinë. As për mungesën e tradhtisë, as për tradhtinë e vërtetë. Nuk e kemi të kodifikuar tradhtinë. Kështu që jemi të lirë të imagjinojmë si të na dojë qejfi, dhe rrëzojmë këdo. Janë disa ligje që bëhen sjellje kombëtare, por ne nuk na është bërë sjellje kombëtare. Berisha i ka thënë vrasës Hashim Thaçit publikisht.

Hashim Thaçi po përgjigjet për atë akuzë atje. E kush e ka bërë? Shqiptari. Se bota ka veshë. Janë shkruar dhe libra që kanë ngelur si dëshmi e gjallë. -“Kam qenë në Beograd dhe kam shkuar te libraria. Ajo që vura re atje ishte se 85% e librave atje ishin për Kosovën”, më tha para pak ditësh sociologu Gëzim Tushi.

-Po të cilit karakter?

Histori, por në favorin e tyre. Kjo do të thotë se kombet punojnë për veten e tyre. Ne nuk punojmë për kombin tonë. Ne punojmë kundër kombit tonë. -Unë përsëri do doja të bëja propozimin e vërtetë, që nëse kjo histori zgjat dhe ka shumë gjasa që të zgjasë, Shqipëria duhet t’i thotë Bashkimit Evropian që kërkoj bashkimin me Kosovën, të paktën në pjesët themelore të shtetit. Mund të jenë ligji i përbashkët, kushtetuta e përbashkët, pasaporta e përbashkët.

-Zoti Çupi, cili është parashikimi juaj për zgjedhjet e 25 prillit? Kush fitopn? Natyrisht ju nuk jeni orakull, por analiza juaj ja vlen. Rama mandatin e tretë apo Basha kryeministri i 34-t i Shqipërisë?

Ne kemi dhe 5 muaj dhe mund të ndodhin gjëra shumë të çuditshme, por po të bëheshin sot zgjedhjet mund ta kisha një ide. Ju e shikoni që tani nuk ka më krah politik, të gjithë të majtë janë, të gjithë të djathtë janë. Më i djathti këtu është Edi Rama. Programi më i djathtë është i tij, punët më të djathta janë të tij, konservatorizmi është i tij, antikomunist ai është, s’janë këta.

Ai është antikomunist para se të themelohej Partia Demokratike. Ne e themeluam atë parti mbi honen e studentëve të Edi Ramës. I vetmi që ka mbrojtur djathtizmin dhe antikomunizmin në Shqipëri është Edi Rama. I vetmi që i tha të gjithë paratë të persekutuarve është Edi Rama. Financat e para, nxorri nga xhepi atyre që kishin vuajtur. Kështu që s’kemi krah. Mesa kuptoj unë, Shqipëria është ndarë mes normalitetit dhe pjesës tjetër. Dhe unë mendoj se duhet të fitojë normaliteti në Shqipëri.

-Fiton Edi Rama?

Po, pa dyshim. Se ndryshe nëse fiton dikush tjetër nuk gjen se ku hyn në shtëpi. Do na e shkatërrojnë prapë këtë shtëpinë tonë dhe s’ka për të gjetur derën.

l.a-m/Fjala.al

 

Të fundit

Çfarë ndodhi me vaksinat Astrazeneca? Mjeku Alimehmeti tregon faktet shqetësuese

Për mjekun Ilir Alimehmeti shumë shpejt gjatë përdorimit të Astrozenecës u diskutua tromboza dhe në fillim u mundua që...

Elton Deda kritikë të ashpër Eurovision: Nuk gjeneron asgjë profesionale

Elton Deda njihet si një njeri që nuk ngurron t’i shprehë kritikat artistike. I ashpër ka qenë në kritikën e tij edhe ndaj Eurovision, duke...

Pse turizmi nuk po rrit konsumin në Shqipëri?

Nga buka te makaronat, orizi, vaji i lulediellit, birrat, preparatet larëse deri te baret dhe restorantet, si shfaqet ecuria e konsumit? Sa arriti ta...

Gjendet kërpudha me peshë rreth 13 kilogramë në Turqi

Kërpudhat turke morel janë shumë të kërkuara në të gjithë botën dhe janë të njohura për vlerat e tyre ushqyese, aromën dhe shijen intensive. Kërpudhat...

Takimi i Ramës në Athinë, Andoni: Kryeministri nuk përmendi votën e emigrantëve

Analisti Ben Andoni, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 ka komentuar vizitën e Ramës në Athinë, ku atje u takua me emigrantët...

Lajme të tjera

Web TV